INSULINË HUMANE BIOSINTETIKE IZOFANE
Formë doza: Penë 100 UI/ml.- 3 ml
Emri gjenerik: Insulinë Humane Biosintetike Izofane
Emri tregëtar: Insuman Basal
Indikacionet dhe kriteret e përdorimit: Diabet Mellitus tip1 dhe Diabet Mellitus tip 2, kur ka dështuar terapia me antidiabetikë oralë.
Kundërindikacionet: Nuk ka kundërindikacione të njohura.
Efektet anësore: Hypoglicemia, reaksione lokale alergjike, lipodistrofi në vendet e injektimit. Duhet patur kujdes te pacientët me Insuficiencë hepatike dhe IRK të përparuar, ku gjysëm jeta e Insulinës është më e zgjatur dhe risku për hypoglicemi më i madh.
Doza dhe mënyra e përdorimit: Insulina humane Izofane mund të përdoret vetëm me rrugë s/c. Fillimi i veprimit me këtë rrugë është pas 90 min, maks. Pas 6-8 orësh dhe kohëzgjatja e veprimit 11-20 orë. Dozat janë individuale. Ndikojnë shumë faktorë, si: mosha, pesha, obeziteti, sëmundjet shoqëruese etj. Doza totale ditore e Insulinës në pacientët me Diabet tip 1 varion nga 0.5-1 UI/kg peshë në ditë, kurse në pacientët me Diabet tip 2 ajo varion nga 0.8-1.5 UI/kg peshë në ditë. 50% të kësaj doze e përbën Insulina bazale, ku Insulina NPH është një nga alternativat.
Tek pacientët me Diabet tip 2, kur fillohet insulinoterapia, Insulina NPH mund të jetë alternativa e parë, për Mjekun e Familjes, duke filluar mjekimin me një dozë në darkë prej 0.15 UI/kg peshë, ose 10-12 UI s/c, zakonisht në darkë. Përjashtim mund të bëhet për fëmijët me Diabet Mellitus tip 1 dhe për pacientët me histori të mëparshme për Infarkt miokardi dhe AVC të kaluar, ku rreziku i komplikacioneve prej hypoglicemive është më i lartë. Në këto grupe mund të fillohet terapia direkt me Insulinë analoge të zgjatur. Për përcaktimin e dozës dhe të skemës së mjekimit është i nevojshëm mendimi i mjekut endokrinolog.
Pacienti duhet të bëjë matje glicemie esëll në mëngjes për të modifikuar mjekimin dhe për të vlerësuar efikasitetin e mjekimit. Mjeku i familjes mund të vazhdojë mjekimin dhe të bëjë modifikimet e nevojshme në terapi, bazuar në rezultatet e matjes së glicemive dhe të HbA1c (HbA1c e detyrueshme çdo 6 muaj), duke patur për synim HbA1c <7%, ose një objektiv më të lartë (7.5 ose 8%) në personat e moshuar. Në rast se HbA1c vazhdon të jetë >8%, duhet bërë modifikimi i dozës, ose skemës së mjekimit të diabetit, për të arritur HbA1c jo më shumë se 7.5%.
Kohëzgjatja e mjekimit: Ne rastin e Diabet Mellitus tip 1 mjekimi me Insulinë është për gjithë jetën. Në rastin e Diabet Mellitus tip 2 mjekimi me Insulinë mund të jetë i përkohshëm (përpara interventeve kirurgjikale) ose edhe definitiv kur terapia me antidiabetikë oralë nuk është më e efektshme. Për këtë do të gjykojë Mjeku i Familjes në bashkëpunim me mjekun endokrinolog, në varësi të shifrave të glicemise esëll dhe 2 orë pas ushqimit, si dhe të HbA1c.
Në rast se është arritur ekuilibri me terapinë aktuale, pacienti duhet të vazhdojë terapinë, pavarësisht përmirësimit të profilit glicemik, ose të HbA1c, duke tentuar uljen e dozave për të parandaluar hypoglicemitë e mundshme, por duke patur gjithmonë si qëllim ekuilibrin e mirë të diabetit. Të paktën një herë në gjashtë muaj pacienti në trajtim me insulinoterapi mund të konsultohet me mjekun endokrinolog (nën gjykimin e Mjekut të
Familjes) lidhur me problemet e mundshme (rritje në peshë, këshilla dietetike, hypoglicemi të shpeshta, lipodistrofi, nevoja për intensfikim të terapisë, ose ndryshime të llojit të insulinës së përdorur). Në rast se pacienti bën hypoglicemi të shpeshta, ose nuk arrin ekuilibrin metabolik të kërkuar me skemën aktuale, mund të kalohet në terapi me 2 injeksione insuline bifazike në ditë, ose një insulinë analoge bazale.
Shënim: Insulinat duhen ruajtur në kushte frigoriferike, në temperaturë 2°C deri në 8°C. Mund të jepet mjekim i kombinuar i Insulinës me antidiabetikë oralë të klasave Biguanide, (Metforminë), frenues të alfa glukozidazës (Glukobay), Inhibitorët e Enzimës DPP-4, sulfaniluretë (Glibenclamid, Glimepirid).
Shoqërimi i terapisë me Insulinë + Metforminë (aty ku nuk ka kundërindikacione), mund të reduktojë deri në 20% dozat e Insulinës. Për fëmijët deri në moshën 18 vjeç, skemën, dozat dhe llojin e Insulinës së përdorur e përcakton mjeku endokrinolog.
Komentet