Perdorimi i Insuman Comb 25/75 (Insuline Humane Biosintetike Bifazike Izofane 100 Nj.N/ ml – 3 ml 25/75)

INSULINË HUMANE BIOSINTETIKE BIFAZIKE IZOFANE

Formë doza: Penë 100UI/ml-3ml, 25/75,

Emri gjenerik: Insulinë Humane Biosintetike Bifazike

Emri tregëtar: Insuman Comb 25/75

Indikacionet dhe kriteret e përdorimit: Diabet Mellitus tip 1 dhe Diabet Mellitus tip 2, kur ka dështuar terapia orale.

Efektet anësore: Hypoglicemia, reaksione lokale alergjike, lipodistrofi në vendet e injektimit. Kujdes te pacientët me Insuficiencë hepatike dhe IRK të përparuar ku gjysëm jeta e insulinës është më e zgjatur dhe risku për hypoglicemi më i madh.

Kundërindikacionet: Ska kundërindikacione.

Doza dhe mënyra e përdorimit: Insulina humane bifazike mund të përdoret vetëm me rrugë s/c. Fillimi i veprimit me këtë rrugë është pas 30 min, maks. Pas 2-6-8 orësh (veprim bifazik) dhe kohëzgjatja e veprimit 12-19 orë. Emërtimi Comb (Mixtard) dhe numri që e shoqëron tregon se kemi të bëjmë me Insulinë të përzier (bifazike) ku shifra 25 ose 30 tregon përqindjen që zë në këtë përzierje Insulina e shpejtë (Neutrale). Pra, do të kemi Insulinë me 25%, Insulinë neutrale dhe rrjedhimisht me 75% insulinë izofane.

Po kështu edhe për Humulin 70/30 kemi 30% Insulinë neutrale (të shpejtë) dhe 70% Insulinë të vonuar (izofan). Dozat e Insulinës janë individuale. Këtu ndikojnë shumë faktorë, si: mosha, pesha, obeziteti, sëmundjet shoqëruese etj. Doza totale ditore e Insulinës në pacientët me Diabet tip 1 varion nga 0.5-1UI/kg peshë në ditë, kurse në pacientët me Diabet tip 2 ajo varion nga 0.8-1.5 UI/kg peshë në ditë.

Te pacientët me Diabet tip 2, kur fillohet insulinoterapia, Insulina bifazike mund të jetë alternativa e dytë, duke filluar mjekimin me një dozë në darkë prej 0.2 UI/kg peshë, ose 1214 UI s/c, zakonisht në darkë. Në rast mjekimi me Insulinë bifazike (ose intensifikim mjekimi) rekomandohet që të fillohet mjekimi me dy injeksione insuline, ku 2/3 e dozës bëhet në mëngjes dhe 1/3 e dozës në darkë. Pacienti duhet të bëjë matje glicemie para këtyre vakteve për të modifikuar dozat e mjekimit.

Për përcaktimin e dozës dhe të skemës së mjekimit është i nevojshëm mendimi i mjekut endokrinolog. Mjeku i familjes mund të vazhdojë mjekimin dhe të bëjë modifikimet e nevojshme në terapi, bazuar në rezultatet e matjes së glicemive dhe të HbA1c (HbA1c e detyrueshme çdo 6 muaj), duke patur për synim HbA1c <7%, ose një objektiv më të lartë (7.5 ose 8%) në personat e moshuar. Në rast se HbA1c vazhdon të jetë >8%, duhet bërë modifikimi i dozës, ose skemës së mjekimit të diabetit, për të arritur HbA1c jo më shumë se 7.5%.

Kohëzgjatja e mjekimit: Në rastin e Diabetit Mellitus tip 1 mjekimi me Insulinë është për gjithë jetën. Në rastin e Diabetit Mellitus tip 2 mjekimi me Insulinë mund të jetë i përkohshëm (përpara interventeve kirurgjikale ) ose edhe definitiv kur terapia me antidiabetike orale nuk është më e efektshme. Për këtë do të gjykojë mjeku i familjes në bashkëpunim me mjekun endokrinolog, në varësi të shifrave të glicemisë esëll dhe 2 orë pas ushqimit dhe të HbA1c. Në rast se është arritur ekuilibri me terapinë aktuale, pacienti duhet të vazhdojë terapinë, pavarësisht përmirësimit të profilit glicemik, ose të HbA1c, duke tentuar uljen e dozave për të parandaluar hypoglicemitë e mundshme, por duke patur gjithmonë si qëllim ekuilibrin e mirë të diabetit.

Të paktën një herë në gjashtë muaj pacienti në trajtim me insulinoterapi duhet të konsultohet me mjekun endokrinolog (nën gjykimin e Mjekut të Familjes) lidhur me problemet e mundshme (rritje në peshë, këshilla dietetike, hypoglicemi të shpeshta, lipodistrofi, nevoja për intensifikim të terapisë, ose ndryshime të llojit të Insulinës së përdorur). Në rast se pacienti bën hypoglicemi të shpeshta, ose nuk arrin ekuilibrin metabolik të kërkuar me skemën aktuale, mund të kalohet në terapi me 2 injeksione Insuline bifazike analoge në ditë, një Insulinë analoge bazale, ose në skemën bazal- bolus.

Shënim: Insulinat ruhen në kushte frigoriferike në temperatura 2°C deri në 8°C. Mund të jepet mjekim i kombinuar i Insulinës me antidiabetikë oralë të klasave Biguanide, (Metforminë), frenues të alfa glukozidazës (Glukobay), Inhibitorët e Enzimës DPP-4, sulfaniluretë (Glibenclamid, Glimepirid). Shoqërimi i terapisë me Insulinë + Metforminë (aty ku nuk ka kundërindikacione), mund të reduktojë deri në 20% dozat e Insulinës.

Për fëmijët deri në moshën 18 vjeç, skemën, dozat dhe llojin e insulinës së përdorur e përcakton mjeku endokrinolog pediatër.