INSULINË HUMANE BIOSINTETIKE NEUTRALE
Formë doza: Penë 100 UI/ml-3 ml
Emri gjenerik: Insulinë Humane Biosintetike Neutrale
Emri tregëtar: Insuman Rapid
Indikacionet dhe kriteret e përdorimit: Diabet Mellitus tip1 dhe Diabet Mellitus tip 2, kur ka dështuar terapia me antidiabetikë orale, mjekimi i acidoketozës diabetike, si pjesë e terapisë bazal-bolus në pacientët e trajtuar me Insulinë, përpara interventeve kirurgjikale, në infeksionet e rënda, në Diabet Gestacional, ose trajtimin e diabetit tek një grua me diabet gjatë shtatzanisë.
Kundërindikacionet: Nuk ka kundërindikacione të njohura të terapisë me Insulinë.
Efektet anësore: Hypoglicemia, reaksione lokale alergjike, lipodistrofi në vendet e injektimit. Duhet patur kujdes tek pacientët me Insuficiencë hepatike dhe SRK të përparuar (stadi III-IV dhe kur klirensi i kreatininës <30 ml/min), ku gjysëm jeta e Insulinës është më e zgjatur dhe rreziku për hypoglicemi më i madh.
Doza dhe mënyra e përdorimit: Insulina Neutrale mund të përdoret në të tre rrugët: i/v, i/m, s/c. Për pacientët rekomandohet rruga e injektimit s/c si më komode dhe e lehtë. Fillimi i veprimit me këtë rrugë është pas 30 min, maks. pas 2-4 orësh dhe kohëzgjatja e veprimit 6 – 8 orë. Doza totale ditore e insulinës në pacientët me Diabet tip 1 varion nga 0.5-1UI/kg peshë në ditë, kurse në pacientët me Diabet tip 2 ajo varion nga 0.8-1.5 UI/kg peshë në ditë. Në terapinë me tri ose më shumë injeksione Insuline, doza e Insulinës Humane Neutrale mund të përbëjë 50-70% të dozës totale ditore. Dozat e Insulinës janë individuale. Këtu ndikojnë shumë faktorë si: mosha, pesha, obeziteti, sëmundjet shoqëruese, mjekimet për sëmundje të ndryshme etj. Për përcaktimin e dozës dhe të skemës së mjekimit është i nevojshëm mendimi i mjekut endokrinolog. Mjeku i Familjes mund të vazhdojë mjekimin dhe të bëjë modifikimet e nevojshme në terapi, bazuar në rezultatet e matjes së glicemive dhe të HbA1c (HbA1c e detyrueshme çdo 6 muaj), duke patur për synim HbA1c <7%, ose një objektiv më të lartë (7.5 ose 8%) në personat e moshuar.
Në rast se HbA1c vazhdon të jetë >8%, duhet bërë modifikimi i dozës, ose skemës së mjekimit të Diabetit, për të arritur HbA1c jo më shumë se 7.5%.
Kohëzgjatja e mjekimit: Në rastin e D.M tip 1 mjekimi me Insulinë është për gjithë jetën. Në rastin e D.M tip 2 mjekimi me insulinë mund të jetë i përkohshëm (përpara interventeve kirurgjikale, gjendje stresi etj), ose edhe definitiv kur terapia me antidiabetikë oralë nuk është më e efektshme. Për këtë do të vendosë mjeku i familjes në bashkëpunim me mjekun endokrinolog, në varësi të shifrave të glicemisë esëll, 2 orë pas ushqimit dhe të HbA1c.
Në rast se është arritur ekuilibri me terapinë aktuale, pacienti duhet të vazhdojë këtë mjekim, pavarësisht përmirësimit të profilit glicemik, ose të HbA1c, duke tentuar uljen e dozave për të parandaluar hypoglicemitë e mundshme, por duke patur gjithmonë si qëllim ekuilibrin e mirë të diabetit. Të paktën një herë në gjashtë muaj pacienti në trajtim me insulinoterapi mund të konsultohet me mjekun endokrinolog (nën gjykimin e Mjekut të Familjes) lidhur me problemet e mundshme (rritje në peshë, këshilla dietetike, hypoglicemi të shpeshta, lipodistrofi, nevoja për intensifikim të terapisë, ose ndryshime të llojit të insulinës së përdorur).
Shënim: Insulinat duhen ruajtur në kushte frigoriferike në temperaturë 2°C deri në 8°C. Mund të jepet mjekim i kombinuar i insulinës me antidiabetikë oralë të klasave Biguanide, (Metforminë), frenues të alfa glukozidazës (Acarbosë), Inhibitorët e Enzimës DPP-4. 2 Shoqërimi i terapisë me Insulinë + Metforminë mund të reduktojë deri në 20% dozat e Insulinës.
Gjatë Diabetit gestational, mjekimi me Insulinë është i detyrueshëm dhe i vetmi.
Për fëmijët deri në moshën 18 vjeç, skemën, dozat dhe llojin e Insulinës së përdorur e përcakton mjeku endokrinolog.
Komentet