LIRAGLUTIDE
Formë doza : Pen 6 mg/ml – 3 ml
Emri Xhenerik : Liraglutide
Emri Tregtar: Victoza
Indikacionet dhe Kriteret e Përdorimit: Mekanizmi i veprimit: Liraglutidi është një analog i GLP-1 me ngjashmëri 97% me GLP-1 human, i cili lidhet me receptorin e GLP-1 duke e aktivizuar atë. Receptori i GLP-1 është targeti i GLP-1 natyror, një inkretinë endogjene, e cila shton sekretimin e insulinës të varur nga glukoza, nga qelizat beta të pankreasit. Ndryshe nga GLP-1 i prodhuar nga organizmi i njeriut, liraglutidi ka një profil farmakokinetik dhe farmakodinamik të përshtatshëm për administrim një herë në ditë. Pas administrimit subkutan, profili i veprimit mbështetet në tre mekanizma: vetë-asocimi, i cili rezulton në përthithje të ngadaltë; lidhja me albuminën; dhe qëndrueshmëria më e lartë enzimatike ndaj enzimës dipeptidil peptidazës IV (DPPIV) dhe endopeptidazës neutrale (NEP), duke rezultuar në një gjysmëjetë plazmatike më të gjatë.
Përdoret në adultë me diabet tip 2, obezë, kur nuk është arritur kontrolli i mirë metabolik. Victoza përdoret së bashku me barna të tjera antidiabetikë, kur ato nuk mjaftojnë për të kontrolluar nivelet e sheqerit në gjak. Këto mund të përfshijnë: antidiabetikët oralë (metformina, barnat Insulinosekretues) dhe/ose një insulinë bazale, humane apo analoge.
Kundërindikacionet: Hipersensibilitet ndaj lëndës aktive apo ndonjë prej eksipientëve të listuar në përmbajtjen e tij.
Efektet Anësore: Reaksionet e padëshiruara të raportuara më shpesh gjatë studimeve klinike ishin çrregullimet gastrointestinale: të përziera dhe diarreja ishin shumë të shpeshta, ndërsa të vjellat, konstipacioni, dhimbja abdominale dhe dispepsia ishin të shpeshta. Në fillim të terapisë, këto çrregullime gastrointestinale mund të jenë më të shpeshta. Zakonisht, këto efekte pakësohen brenda disa ditësh ose javësh nga fillimi i trajtimit. Dhimbja e kokës dhe nazofaringiti ishin gjithashtu të shpeshta. Gjithashtu, hipoglicemia ishte e shpeshtë dhe shumë e shpeshtë kur liraglutidi kombinohej me një sulfonilure. Hipoglicemi madhore janë parë kryesisht pas kombinimit me një sulfonilure.
Doza dhe mënyra e përdorimit: Liraglutidi ka një veprim që zgjat 24 orë dhe përmirëson kontrollin e glicemisë përmes uljes së glicemisë esëll dhe asaj postprandiale te pacientët me Diabet Mellitus tip 2. Doza fillestare është 0.6 mg në ditë. Doza mbajtëse do të jetë 1.2 mg dhe mund të arrijë në disa raste deri në 1.8 mg/ditë. Victoza mund të injektohet në çdo moment të ditës me rrugë subkutane, në regjionin e barkut, pjesën e sipërme të këmbëve (kofshës), apo në pjesën e sipërme të krahëve.
Kohëzgjatja e mjekimit: Doza fillestare është 0.6 mg, një herë në ditë për 7 ditët e para, duke kontrolluar glicemitë pas fillimit të mjekimit. Në rast se nuk ka përmirësim doza mund të rritet në 1.2 dhe deri në 1.8 mg/ditë. Kohëzgjatja e veprimit përcaktohet nga mjeku Endokrinolog dhe duhet të jetë në funksion të uljes 1% të HbA1c (HbA1c e detyrueshme çdo 6 muaj).
Shënim : Ruhet në frigorifer (2ºC – 8ºC). Nuk vendoset në ngrirje. Pas përdorimit të parë: Ruhet në temperaturë nën 30ºC ose në frigorifer (2ºC – 8ºC). Duhet mbajtur kapaku i vendosur në shiringë në mënyrë që të mbrohet nga drita.
Komentet