Perdorimi i Insuline Levemir (Insuline Detemir solution 100 Nj.N/ ml – 3 ml)

INSULINË DETEMIR SOLUTION 100 UI/ML-3 ML

Formë doza: Penë 100 UI/ml-3 ml flex/ pen.

Emri gjenerik: Insulinë Detemir solution

Emri tregëtar: Insulinë Levemir

Indikacionet dhe kriteret e përdorimit: Diabet Mellitus tip1 (tek të rriturit, adoleshentët dhe fëmijët e moshës 1 vjeç e lart) dhe Diabet Mellitus tip 2, kur ka dështuar terapia me antidiabetikë orale, ose kur janë prezent ndërlikime kronike të avancuara të Diabetit, në rastet kur në terapinë me Insulinë humane nuk arrihet ekuilibri i mirë i Diabetit, ose kur pacienti në  terapi me Insulinë humane bën hypoglicemi të shpeshta, të dokumentuara, me vlerë <60mg/dl. Insulina Detemir në shumë studime ka treguar se jep një shtim në peshë më të moderuar se Insulinat e tjera bazale, prandaj mund të përdoret si zgjedhje e parë në personat me Diabet Mellitus tip 2 me obezitet të gradës II dhe III ( BMI >35kg/m2.

Kundërindikacionet: Nuk ka kundërindikacione të njohura. Gratë shtatzëna të ekspozuara në Detemir (Levemir) nuk tregojnë efekte anësore të detemirit të insulinës në shtatzëni dhe nuk kanë toksicitet malformativ ose fetal / neonatal. Përvoja me fëmijë me moshë më të vogël se 1 vjeç me këtë lloj Insulinë është e kufizuar.

Efektet anësore: Hypoglicemia, shtimi në peshë, reaksione lokale alergjike, lipodistrofi në vendet e injektimit. Duhet patur kujdes te pacientët me Insuficiencë hepatike dhe IRK të përparuar, ku gjysëm jeta e Insulinës është më e zgjatur dhe risku për hypoglicemi më i madh.

Doza dhe mënyra e përdorimit: Insulina Detemir (Insulinë analoge biosintetike Levemir) mund të përdoret vetëm në rrugë s/c. Fillimi i veprimit me këtë rrugë është pas 3-4 orësh, maks. i veprimit – nuk ka pikë maksimale veprimi (është e veçanta dhe ana më pozitive e kësaj insuline) dhe kohëzgjatja e veprimit është deri në 24 orë në varësi të dozës së dhënë. Dozat e Insulinës janë individuale. Këtu ndikojnë shumë faktorë mosha, pesha, obeziteti, sëmundjet shoqëruese etj.

Doza totale ditore e Insulinës në pacientët me Diabet Mellitus tip 1 varion nga 0.5-1UI/kg peshë në ditë, kurse në pacientët me Diabet Mellitus tip 2 ajo varion nga 0.8-1.5 UI/kg peshë në ditë. Për përcaktimin e dozës dhe të skemës së mjekimit duhet / është i nevojshëm rekomandimi i mjekut endokrinolog. Në rast të fillimit të mjekimit me Insulinë Detemir, rekomandohet të fillohet me një dozë 0.15 UI kg/peshë në rastin e Diabetit Mellitus tip 2, ose një dozë 10-12 UI në darkë. E rëndësishme është që Insulina të bëhet në të njëjtin moment çdo ditë.

Insulina Detemir mund të injektohet edhe dy herë në ditë. Në rast se pacienti ka qenë më parë në terapi me Insulinë izofan, rekomandohet që fillimisht doza e Insulinës Detemir të jetë 80% e dozës së Insulinës Izofan. Për modifikimin e dozës së Insulinës, pacienti duhet të bëjë matje të glicemisë esëll në mëngjes dhe të modifikojë dozën e Insulinës në varësi të rezultateve. Në mënyrë të përmbledhur po japim një tabelë për modifikim e dozave të Insulinës Detemir.

Glicemia esëll në mëngjes              Modifikimi i dozës së Insulinës Detemir

>180 mg/dl                                        + 8 U

163–180 mg/dl                                  + 6 U

145–162 mg/dl                                  + 4 U

127–144 mg/dl                                  + 2 U

109–126 mg/dl                                 + 2 U

Kur kemi një vlerë glicemie të vetme

56–72 mg/dl                                    – 2 U

<56 mg/dl                                        – 4 U

Mjeku i familjes mund të vazhdojë mjekimin dhe të bëjë modifikimet e nevojshme në terapi, bazuar në rezultatet e matjes së glicemive dhe të HbA1c (HbA1c e detyrueshme çdo 6 muaj), duke patur për synim HbA1c <7%, ose një objektiv më të lartë (7.5 ose 8%) në personat e moshuar. Në rast se HbA1c vazhdon të jetë >8%, duhet bërë modifikimi i dozës, ose skemës së mjekimit të Diabetit, për të arritur HbA1c jo më shumë se 7.5%.

Shërbimi i Endokrinologjisë QSU “Nënë Tereza” rekomandon përdorimin e barit Insulinë Levemir (Detemir) të kombinuar me antidiabetikët oralë, sidomos në të sëmurët me Diabet

Mellitus tip 2, që kanë kaluar Infarkt Miokardi, Insult cerebral, Gangrenë diabetike të këmbës, ku komplikacionet nga hypoglicemia e mundshme janë më të rrezikshme për jetën, diabetikët që me mjekimin e zakonshëm bëjnë hipoglicemi të shpeshta dhe kanë nevojë për ekuilibër sa më të mirë të Diabetit në kombinim me Insulinë humane neutrale ose analogë të shpejtë.

Kohëzgjatja e mjekimit: Në rastin e Diabetit Mellitus tip 1 mjekimi me Insulinë është për gjithë jetën. Në rastin e Diabetit Mellitus tip 2 mjekimi me Insulinë mund të jetë i përkohshëm (përpara interventeve kirurgjikale), ose edhe definitiv kur terapia me antidiabetikë oralë nuk është më e efektshme. Për këtë do të vendosë mjeku i familjes në bashkëpunim me mjekun endokrinolog në varësi të shifrave të glicemisë esëll dhe 2 orë pas ushqimit dhe te HbA1c. Në rast se është arritur ekuilibri me terapinë aktuale, pacienti duhet të vazhdojë terapinë, pavarësisht përmirësimit të profilit glicemik, ose të HbA1c, duke tentuar uljen e dozave për të parandaluar hypoglicemitë e mundshme, por duke patur gjithmonë si qëllim ekuilibrin e mirë të diabetit.

Të paktën një herë në gjashtë muaj pacienti në trajtim me insulinoterapi duhet të konsultohet me mjekun endokrinolog (nën gjykimin e Mjekut të Familjes) lidhur me problemet e mundshme (rritje në peshë, këshilla dietetike, hypoglicemi të shpeshta, lipodistrofi, nevoja për intensifikim të terapisë, ose ndryshime të llojit të insulinës së përdorur). Në rast se pacienti bën hypoglicemi të shpeshta, ose nuk arrin ekuilibrin metabolik të kërkuar me skemën aktuale, mund të kalohet në terapi me 2,3 ose 4 injeksione insuline në ditë.

Në rast se shtohet në terapi Insulinë Detemir, duhet që pacienti me terapinë e re (përfshirë edhe Detemir) duhet të sigurojë një ulje të HbA1c prej ≥0.5% për gjashtë muaj. Në rast se ky rezultat nuk arrihet edhe pas një viti, pacienti duhet të kalojë në terapi me 2, 3 ose 4 injeksione insulinë në ditë, gjithmonë duke u siguruar që respekton dietën dhe merr mjekimin rregullisht, ose mund të rikthehet në terapinë e mëparshme.

Shënim: Insulinat duhen ruajtur në kushte frigoriferike në temperaturë 2°C deri në 8°C. Mund të jepet mjekim i kombinuar i Insulinës me antidiabetikë oralë të klasave Biguanidë, (Metforminë), frenues të alfa glukozidazës (Glukobay), me Sulfaniluretë (Glibenklamid, Glimeprid), ose edhe Inhibitorë të enzimës DPP-4, duke e perdorur Insulinën Levemir si bazal.

Shoqërimi i terapisë me Insulinë + Metforminë (aty ku nuk ka kundërindikacione), mund të reduktojë deri në 20% dozat e insulinës. Gjate Diabetit gestational, mjekimi me Insulinë eshte i detyrueshëm dhe i vetmi. Për fëmijët deri në moshën 14 vjeç, skemën, dozat dhe llojin e Insulinës së përdorur e përcakton mjeku endokrinolog pediatër.