Perdorimi i Novo Rapid (Insuline Aspart Solution 100 Nj.N/ml – 3 ml)

INSULINË ASPART SOLUTION

Formë doza: Penë 100 UI/ml-3 ml /flex pen

Emri gjenerik: Insulinë Aspart solution

Emri tregëtar: Novo Rapid

Indikacionet dhe kriteret e përdorimit: Diabet Mellitus tip 1 dhe Diabet Mellitus tip 2, kur ka dështuar terapia me antidiabetikë oralë, kur janë prezent ndërlikime kronike të avancuara të Diabetit, në rastet kur në terapinë me Insulinë humane nuk arrihet ekuilibri i mirë i Diabetit, ose kur pacienti në terapi me Insulinë humane bën hypoglicemi të shpeshta, të dokumentuara, me vlerë <60mg/dl. Insulina Aspart (NovoRapid) gjithashtu mund të përdoret intravenoz nga mjekët ose personeli tjetër i kujdesit shëndetësor.

Kundërindikacionet: Nuk ka kundërindikacione të njohura. Meqenëse nuk ka përvojë dhe studime afatgjata në gratë shtatzana, përdorimi i kësaj Insuline nuk është alternativa e parë në gratë shtatzëna me diabet, pavarësisht se në shumë vende kjo Insulinë mund të përshkruhet edhe gjatë shtatzanisë.

Efektet anësore: Hypoglicemia, shtimi në peshë, reaksione lokale alergjike, lipodistrofi në vendet e injektimit (më rrallë se me Insulinën neutrale). Megjithëse koha e veprimit të saj është më e shkurtër se e Insulinës neutrale, duhet patur kujdes te pacientët me insuficiencë hepatike dhe SRK të përparuar, ku gjysëm jeta e Insulinës është më e zgjatur dhe rreziku për hypoglicemi më i madh.

Doza dhe mënyra e përdorimit: Doza totale ditore e Insulinës në pacientët me Diabet Mellitus tip 1 varion nga 0.5-1UI/kg peshë në ditë, kurse në pacientët me Diabet Mellitus tip 2 ajo varion nga 0.8-1.5 UI/kg peshë në ditë. Në terapinë me tri ose më shumë injeksione insuline, doza e Insulinës Aspart mund të përbëjë 50-70% të dozës totale ditore. Insulina Aspart mund të përdoret në të tre rrugët, por rruga s/c, është më e përdorura, pasi ndryshimi në strukturën e saj është bërë i tillë që të rrisë shpejtësinë e absorbimit në rrugën s/c. Fillimi i veprimit me këtë rrugë është pas 1530 min, maks. Pas 30-90 minutash dhe kohëzgjatja e veprimit 4-5 orë. Dozat e Insulinës janë individuale. Këtu ndikojnë shumë faktorë mosha, pesha, obeziteti, sëmundjet shoqëruese etj. Për përcaktimin e dozës dhe të skemës së mjekimit duhet / është i nevojshëm rekomandimi i mjekut endokrinolog.

Shërbimi i Endokrinologjisë QSU “Nënë Tereza” rekomandon:

  1. a) kombinimin e Insulinës Aspart (Novo-Rapid), me Insulinën Detemir (Levemir) ose Glarginë (Lantus), të cilat kanë veprim të vonuar, për trajtimin e diabetit mellitus tek të rriturit, adoleshentët dhe fëmijët e moshës 1 vjeç e lart.
  2. b) vetëm tek fëmijët (me moshë mbi 1 vjeç) me Diabet Melitus, në mënyrë që të arrihet një ekuilibër sa më i mirë i diabetit;
  3. c) në gratë shtatzëna me Diabet Mellitus (të cilat kur përbëjnë indikacion do të vazhdojnë dhe pas shtatzanisë) Insulina Aspart (Novo-Rapid) mund të përdoret e kombinuar me Insulinën Detemir (Levemir).
  4. d) Insulina Novo Rapid mund të përdoret si terapi e kombinuar me insulinat analoge të zgjatura, ose NPH në ato raste kur nuk arrihet ekuilibri me skemën aktuale të mjekimit, ose kur pacienti bën shpesh hypoglicemi pas ose mes vakteve në terapinë me Insulinë neutrale. Në rast se shtohet në terapi Insulinë Aspart, duhet që pacienti me terapinë e re (përfshirë edhe Ins. Aspart) duhet të sigurojë një ulje të HbA1c prej ≥0.5% për gjashtë muaj. Në rast se ky rezultat nuk arrihet edhe pas një viti, pacienti mund të rikthehet në terapinë e mëparshme.

Kohëzgjatja e mjekimit: Ne rastin e Diabetit Mellitus tip 1 mjekimi me Insulinë është për gjithë jetën. Në rastin e Diabetit Mellitus tip 2 mjekimi me Insulinë mund të jetë i përkohshëm (përpara interventeve kirurgjikale) ose edhe definitiv kur terapia me antidiabetikë oralë nuk është më e efektshme. Për këtë do të vendosë mjeku i familjes në bashkëpunim me mjekun endokrinolog, në varësi të shifrave të glicemisë esëll dhe 2 orë pas ushqimit dhe të HbA1c. Në rast se është arritur ekuilibri me terapinë aktuale, pacienti duhet të vazhdojë terapinë, pavarësisht përmirësimit të profilit glicemik, ose të HbA1c, duke tentuar uljen e dozave për të parandaluar hypoglicemitë e mundshme, por duke patur gjithmonë si qëllim ekuilibrin e mirë të diabetit.

Të paktën një herë në gjashtë muaj pacienti në trajtim me insulinoterapi mund të konsultohet me mjekun endokrinolog (nën gjykimin e Mjekut të Familjes) lidhur me problemet e mundshme (rritje në peshë, këshilla dietetike, hypoglicemi të shpeshta, lipodistrofi, nevoja për intensifikim të terapisë, ose ndryshime të llojit të insulinës së përdorur). Mjeku i familjes mund të vazhdojë mjekimin dhe të bëjë modifikimet e nevojshme në terapi, bazuar në rezultatet e matjes së glicemive dhe të HbA1c (HbA1c e detyrueshme çdo 6 muaj), duke patur për synim HbA1c <7%, ose një objektiv më të lartë (7.5 ose 8%) në personat e moshuar. Në rast se HbA1c vazhdon të jetë >8%, duhet bërë modifikimi i dozës, ose skemës së mjekimit të diabetit, për të arritur HbA1c jo më shumë se 7.5%.

Shënim: Insulinat duhen ruajtur në kushte frigoriferike në temperaturë 2°C deri në 8°C. Mund të jepet mjekim i kombinuar i Insulinës me antidiabetikë oralë të klasave Biguanide, (Metforminë), frenues të alfa glukozidazës (Glukobay), Inhibitorët e Enzimës DPP-4. Shoqërimi i terapisë me insulinë + Metforminë mund të reduktojë deri në 20% dozat e Insulinës. Gjatë Diabetit gestacional, mjekimi me Insulinë është i detyrueshëm dhe i vetmi. Për fëmijët deri në moshën 18 vjeç, skemën, dozat dhe llojin e Insulinës së përdorur e përcakton mjeku endokrinolog.