Perdorimi i Lercanil (Enalapril+Lercanidipine 20mg+10mg)

ENALAPRIL+LERCANIDIPINE

Formë Doza: Tablete 10 mg/20 mg

Emri Gjenerik: Enalapril + Lercanidipinë

Emri tregëtar: Lercanil®

Indikacionet dhe Kriteret e përdorimit:

Lercanil® ACE është një shoqërim fiks i një bllokuesi të kanaleve të kalciumit (lerkanidipina) me një frenues të enzimës ACE (enalaprili), të cilët janë barna që ulin presionin e gjakut.

Lercanil® ACE përdoret për trajtimin e tensionit të rritur arterial, (Hipertensionit arterial HTA) në pacientët, tek të cilët presioni i gjakut nuk kontrollohet në mënyrë të përshtatshme nga monoterapia. Përdoret si zgjedhje e parë në trajtimin fillestar të hipertensionit kur ai është i gradës 2 (>160 mmHg) e më shumë, si dhe është alternativa më e favorshme e mjekimit në të sëmurët ku hipertensioni arterial shoqërohet me diabet mellitus. Lercanil® ACE mund të përdoret me sukses edhe në të sëmurët me sëmundje të arterieve koronare të shoqëruar me hipertension si dhe më rrallë në të sëmurët me insufiçiencë kardiake nga kardiomyopati të dilatuar hipertensive.

Kundërindikacionet:

  • Në rast se pacienti është alergjik (të mbindjeshëm) ndaj ndonjërës prej lëndëve vepruese (lerkanidipinës ose enalaprilit) ose ndaj ndonjërit prej përbërësve të tjerë të tabletave Lercanil® ACE.
  • Në rast se pacienti është alergjik (të mbindjeshëm) ndaj lëndëve kimikisht të ngjashme me lëndët vepruese të Lercanil® ACE (p.sh. amlodipinë, felodipinë, nifedipinë, kaptopril, fozinopril, lizinopril, ramipril).
  • Në rast se pacienti është shtatzënë prej më shumë se 3 muaj. (Gjithashtu, është mirë që të shmanget përdorimi i Lercanil® ACE edhe në fillim të shtatzënisë).
  • Në rast se vuani nga sëmundje të rënda të mëlçisë apo veshkave, ose jeni duke kryer dializë.
  • Në rast se përdorni barna të tilla si:
  1. antimikotikë (p.sh. ketoknazol ose itrakonazol).
  2. antibiotikë makrolide (eritromicinë osu leandomicinë).
  3. barna antiviralë (p.sh ritonavir).
  • Në rast se jeni duke përdorur njëkohësisht ciklosporinë
  • Njëkohësisht me qitro ose lëngun e tij
  • Në rast se më parë keni vuajtur nga angioedema (enjtja e fytyrës, buzëve, gjuhës dhe/ose laringut, duarve dhe këmbëve), si në rastin kur ajo është e trashëguar, ashtu edhe kur është shfaqur gjatë trajtimit të mëparshëm me ndonjë bar frenues të ACE.
  • Në rast se keni prirje të trashëguara për enjtje të indeve ose ju është shfaqur enjtja e indeve nga një shkak i panjohur (angioedema hereditare ose idiopatike).

Efektet anësore:

Efektet e padëshiruara më të zakonshme (me shpeshtësi 1 deri 10%) të vërejtura gjatë trajtimit me Lercanil® ACE 10mg/20mg janë: kolla, dhimbja e kokës, marramendjet, edema periferike dhe shpërthimet në lëkurë (rash).

Sistemi i gjakut dhe i limfës:

Të pazakonshme: Anemi

Të rralla: Pakësim i numrit të disa lloj qeliza gjaku, ulje të disa vlerave laboratorike (hemoglobinës dhe hematokritit), pakësim i funksionit të palcës së kockës, zmadhim i gjendrave limfatike, sëmundje autoimune

Metabolizmi:

Të pazakonshme: Rënie të nivelit të sheqerit në gjak (hipoglicemi)

Sytë:

Shumë të zakonshme: Mjegullim (turbullim) i pamjes

Sistemi nervor:

Shumë të zakonshme: Marrje mendsh (marramendje)

Të zakonshme: Dhimbje koke, depresion

Të pazakonshme: Gjendje konfuzionale, përgjumje, pagjumësi, nervozizëm, ndjesi jo normale (p.sh. ndjesi shpimi ose pickimi).

Të rralla: Endrra të pazakonta, çrregullime të gjumit

Sistemi kardiovaskular:

Të zakonshme: Enjtje të gjymtyrëve të poshtme në nivelin e kyçit të këmbëve, rënie të theksuara të presionit të gjakut, përfshi rënien e theksuar të presionit të gjakut gjatë ngritjes në këmbë (hipotension ortostatik), humbje të shkurtra të ndërgjegjes (lipotimi), kriza zemre ose insulte, dhimbje shtrënguese në gjoks, çrregullime të ritmit të zemrës, shtim i rrahjeve të zemrës.

Të pazakonshme: Rëndesë në zemër

Të rralla: Ftohje të duarve dhe këmbëve.

Rrugët e frymëmarrjes:

Shumë të zakonshme: Kollë.

Të zakonshme: Vështirësi në frymëmarrje.

Të pazakonshme: Rrjedhje hundësh, dhimbje fyti dhe ngjirje zëri, frymëmarrje me fishkëllima, astmë.

Të rralla: Çrregullime në indin e mushkrive, rrufisje hundësh, inflamacion i mushkrive.

Trakti gastrointestinal:

Shumë të zakonshme: Të përziera.

Të zakonshme: Diarre (heqje barku), dhimbje barku, çrregullim i shijes

Të pazakonshme: Obstruksion intestinal (ngatërrim zorrësh), inflamacion i pankreasit, të vjella, çrregullime të tretjes, kapsllëk, mungesë oreksi, bezdi në stomak, tharje goje, ulcer stomaku (ulcer gastrike).

Të rralla: Inflamacion dhe ulcerim i membranës/ mukozës së gojës, inflamacion i gjuhës

Shumë të rralla: Trashje e mishrave të dhëmbëve (hiperplazi gingivale), enjtje e indeve të zorrëve.

Mëlçia dhe rrugët e tëmthit:

Të rralla: Insuficiencë hepatike, inflamacion i mëlçisë, verdhëz (ikter).

Lëkura dhe indi nënlëkurë:

Të zakonshme: Skuqje të fytyrës, skuqje dhe ndjesi nxehtësie në lëkurë, shpërthime në lëkurë (rash), enjtje të fytyrës, buzëve, gjuhës, fytit, duarve.

Të pazakonshme: Shtim i djerësitjes, të kruara, urtikarie, rënie flokësh.

Të rralla: Reaksione të rënda të lëkurës.

Eshtë përshkruar një kompleks simptomash, që mund të shfaqet me disa, ose me të gjitha efektet e padëshiruara që vijojnë: ethe, inflamacion i membranave seroze, inflamacion i enëve të gjakut, dhimbje/inflamacion i muskujve dhe kyçeve dhe disa ndryshime të vlerave laboratorike; shpërthime në lëkurë, mbindjeshmëri ndaj dritës dhe reaksione të tjera të lëkurës.

Veshkat dhe trakti urinar:

Të pazakonshme: Probleme të veshkave.

Të rralla: Pakësim i sasisë së urinës, shtim i sasisë së urinës.

Organet riprodhuese dhe gjinjtë:

Të pazakonshme: Impotencë.

Të rralla: Zmadhim i gjinjve tek meshkujt.

Të përgjithshme:

Shumë të zakonshme: Ndjesi dobësie.

Të zakonshme: Lodhje e theksuar, skuqje e fytyrës.

Të pazakonshme: Krampe muskulare, zhurmë në vesh, gjendje e sëmurë, ethe.

Vlerat laboratorike:

Të zakonshme: Rritje e nivelit të kaliumit në gjak, rritje e nivelit të kreatininës në gjak.

Të pazakonshme: Rritje e nivelit të azotit në gjak, pakësim i nivelit të natriumit në gjak.

Të rralla: Rritje e vlerave të enzimave të mëlçisë dhe bilirubinës në serum.

Në rast se ndonjëri prej efekteve të padëshiruara bëhet serioz, ose në rast se ju shfaqen efekte të padëshiruara të cilat nuk janë përshkruar në këtë fletë udhëzuese, njoftoni mjekun ose farmacistin.

Doza dhe mënyra e përdorimit:

Përveç rasteve kur mjeku e përshkruan ndryshe, doza e zakonshme e Lercanil® ACE është një tabletë, një herë në ditë, mundësisht në të njëjtën kohë të ditës. Tableta duhet të merret mundësisht në mëngjes, të paktën 15 minuta përpara vaktit ushqimor të mëngjesit. Tableta duhet të gëlltitet e plotë, e shoqëruar me ujë.

Kohëzgjatja e mjekimit:

Bari duhet dhënë vazhdimisht, si mjekim kronik dhe gjithmonë sipas rekomandimit të mjekut. Ndëprerja apo ndryshimi i dozës së barit bëhet kur shfaqen efektet anësore të tij, gjithmonë duke u konsultuar paraprakisht me mjekun.