Perdorimi i Haloperidol (Haloperidol 2 mg/ml; 50 mg – 1ml)

HALOPERIDOL

Formë Doza: Flakon 2 mg/ml; Ampule 50mg – 1 ml,

Emri Gjenerik: Haloperidol

Emri Tregëtar: Haloperidol

Indikacionet dhe kriteret e përdorimit: Psikozat primare: Skizofrenia; Çregullimi skizofreniform; Çrregullimi Skizoafektiv; Çrregullimi Deluzional; Çrregullimi Psikotik i Shkurtër; Episodet Maniakale; Çrregullimi Depresiv Madhor me tipare psikotike.

Psikozat Sekondare: Ato që shoqërojne një sëmundje tjetër mjekësore, tumor i trurit, apo çrregullime të shkaktuara nga përdorimi i substancave. Axhitimi i rënde apo Sjellja e dhunshme; Axhitimi i shoqëruar me Delirium dhe Demencë në më të shumtën në pacientë të moshuar; Çrregullimet e lëvizjeve: Sëmundja e Huntingtonit, apo Tiket vokale dhe motore të Sindromit Tourette.

Kundërindikacionet: Shtatzania dhe periudha e laktacionit; Hipersensitiviteti; në pacientë që mund të ketë marrë një tjetër bar /substancë (alkool, opioide, barbiturate, benzodiazepina, skopolamine, fenilciklidine); Prania e një sëmundje të rëndë kardiake; Prania e glaukomës kënd-ngushtë ose prania e hipertrofisë së prostatës (apo të tjera shkaqe që shkaktojnë retension urinar); Prania apo histori për Diskinezi Tardive.

Efektet anësore: Ekstrapiramidale: Distoni akute; Akinesi ose bradikinezi; Tasikinezi; Parkinsonizem; Sindrom Neuroleptik Malinj; Diskinezi Tardive; Distonia akute ndodh në 10% të pacientëve, zakonisht në orët apo ditët e para të mjekimit; Parkinsonizmi neuroleptik, ndodh në 15% të pacientëve zakonisht brenda intervalit 5-90 ditë nga fillimi i mjekimit.

Endokrine: rritje gjoksi, galaktorrhe, impotencë tek burrat, amenorre dhe inhibim të orgazmës tek gratë, ulje të libidos për të dy sekset. Sekretim i çregulluar i hormonit antidiuretik; shtim në peshë; Efekte periferike antikolinergjike: konstipacion, retension urinar, midriaze, nauze dhe të vjella; Shtim në peshë; Ikter. Mbidozimi shkakton delirium, kome, distoni, konvulsione, pupila midriatike, ulje e reflekseve të thella tendinoze, takikardi dhe hipotension, bllok kardiak dhe fibrilacion ventrikular deri në vdekje.

Doza dhe mënyra e përdorimit: Për arritjen e një ekulibri të pëlqyeshëm optimal kërkohet që dozat të përshtaten mirë. Në varësi të përgjigjes dozat e ulta fillestare duhet të rriten gjatë disa javëve. Studimet e kontrolluara tregojnë se dozat më të ulta dhe kalimi i kohës janë po aq të efektshme sa dhe dozat më të larta ndërsa shkaktojnë më pak efekte anësore.

Doza më të larta kërkohen në trajtimin e psikozave akute dhe këto mund të pakësohen gradualisht me fashitjen e simptomave. Përdoret: Per os- Doza mes.: 5-10 mg/ditë në fazën akute. Në të moshuarit 1 mg/ditë. Doza më të larta përdoren në kondita spitalore. IM: Mjekimi me haldol depo fillohet me injektimin e 25 mg i/m për 3-4 javët e para. Pas kësaj periudhe doza rritet në 50 mg i/m çdo 3-4 javë.

Kohëzgjatja e mjekimit: Pacienti si rregull mbahet me mjekim për një periudhë 1 deri 2 vjet pas episodit të parë psikotik. Trajtimi me antipsikotik shpesh pas episodit psikotik të dytë dhe pas episodit të tretë mundet të vazhdojë edhe për gjithë jetën, vetëm se në këto raste bëhen gjithmonë përpjekje çdo 6-12 muaj për të pakësuar dozën dhe për të shmangur shfaqjen e Diskinezisë Tardive.

Shënim: Pacienti ose familjari kujdestar njoftohet gjithmonë perpara se të fillojë mjekimi se trajtimi me Haloperidol mund të shkaktojë Diskinezi Tardive. Përdorimi në femrat tregon se ato janë më të ndjeshme në shfaqjen e DT. Në rast hipertermie këshillohet ndërprerja e barit nga rreziku i shfaqjes së Sindromit Neuroleptik Malinj.