ACID ACETYLSALICYLIC -100 mg
Formë Doza: Tablet 100 mg
Emri gjenerik: Acetylsalicylic acid
Emri tregëtar: Kardiospir
Indikacionet dhe kriteret e përdorimit:
Është medikament antiinflamator josteroidian, antitrombocitar-antiagregant. Bllokon ireversibil COX duke inhibuar prodhimin e tromboxanit që është proagregant.
Përdoret (në doza të vogla 75- 325 mg/ditë) në trajtimin dhe parandalimin sekondar (100 mg) të sindromit koronar akut si edhe anginës së qëndrueshme (Indikacion klasa I). Gjithashtu përdoret edhe në parandalimin primar të sëmundjes koronare në pacientët me faktorë të shumtë risku për këtë sëmundje, gjithmonë duke peshuar riskun dhe përfitimin. (indikacion klasa IIa). Përdoret në trajtimin dhe parandalimin sekondar të AVC ishemik, në arteriopatitë obstruktive periferike si edhe stenozat karotidiene.
Kundërindikacionet:
- Mbindjeshmëria ndaj acidit acetilsalicilik apo ndonjë prej lëndëve të tjera (eksipientëve) të preparatit.
- Hemoragjitë aktive gastro-duodenale, intrakraniene etj.
- Pacienti me hemofili dhe çrregullime të tjera të koagulimit të gjakut;
- Pacienti është nën 12 vjeç (përveç mjekimit të artritit juvenil) për shkak të rrezikut të shfaqjes së sindromit Reye.
Duhet treguar kujdes në rast se:
- keni ulçer peptike;
- keni çrregullime të koagulimit të gjakut;
- keni dëmtim të veshkave, të mëlçisë (nuk duhet përdorur në qoftë se dëmtimi është i rëndë) ose tek të sëmurët që janë të dehidratuar;
- do t’ja jepni fëmijëve nën moshën 12 vjeç sepse mund të shkaktojë sindromin Reye dhe mund të përdoret vetëm pasi të jetë bërë bilanci midis përfitimeve terapeutike dhe rreziqeve të mundshme (mund të përdoret në artritin juvenil);
- jeni të sëmurë me astmë;
- vuani nga sëmundje alergjike;
- vuani nga hipertensioni i pakontrolluar dhe nga pamjaftueshmëria e glukozë-6- fosfatdehidrogjenazës;
- jeni shtatzënë; duhet mënjanuar gjatë tremujorit të fundit;
- jeni ende në periudhën e ushqyerjes me gji të fëmijëve.
Efektet anësore:
- çrregullime gastrointestinale ose të përziera;
- ulçera me hemorragji të fshehta (ndonjëherë edhe hemorragji serioze);
- hemorragji të tjera p.sh: subkonjunktivale;
- çrregullime të të dëgjuarit, p.sh. zhurmë në vesh (në raste të rralla mund të çojë në shurdhim);
- marrje mendsh, konfuzion mendor;
- reaksione mbindjeshmërie (angioedemë, bronkospazma dhe ekzantema);
- rritje e kohës së koagulimit;
- në raste të rralla edema;
- çrregullime të gjakut, veçanërisht trombocitopeni.
Doza dhe mënyra e përdorimit:
Rekomandohet të merret pas ushqimit në doza në varësi të indikacionit klinik (75- 325 mg/ditë). Doza prej 100 mg është e rekomanduar ne mjekimin kronik të sëmundjes ishemike të zemrës.
Kohëzgjatja e mjekimit:
Në pacientët me semundje të arterieve koronare rekomandohet mjekimi me aspirinë për gjithë jetën, nëse nuk shfaqen kundërindikacione.
Komentet