SPIRONOLACTON
Forme Doza: Tablete 50 mg
Emri gjenerik: Spironolacton
Emri tregtar: Spirolan
Indikacionet dhe Kriteret e perdorimit:
Spironolaktoni është një bar diuretik (mbajtës i kaliumit).
përdoret në:
- hiperaldosteronizëm primar (prodhim i tepërt i mineralokortikoidit aldosteron), nëse nuk indikohet operacioni.
- grumbullim uji në inde dhe / ose abdomen (edema dhe / ose ascite) në sëmundje që kanë lidhje me hiperaldosteronizmin sekondar (Insuficience kardiake)
- pas infarktit akut per parandalimin e rimodelimit ventrikular
- HTA
Kunderindikacionet:
nuk duhet të merret:
- nëse jeni i mbindjeshëm (alergjik) ndaj spironolaktonit ose ndajndonjërit prej përbërësve të tjerë;
- nëse nuk ka prodhim urine (anuri);
- në insufiçiencë renale akute;
- në çrregullim të rëndë të funksionit të veshkave (insufiçiencë renale me klirens të kreatininës nën 30 ml/min për 1,73 m² sipërfaqe trupore ose me vlerë të kreatininës në serum mbi 1,8 mg/dl);
- nëse ka përmbajtje të rritur të kaliumit në gjak (hiperkalemi);
- nëse ka mungesë natriumi (hiponatremi).
Efektet anesore:
Si të gjithë barnat, spironolaktoni mund të shkaktojë efekte anësore, por që mund të mos shfaqen tek kushdo.
Për vlerësimin e efekteve anësore janë përdorur treguesit e mëposhtëm të shpeshtësisë:
Shumë të shpeshta | më shumë se 1 përdorues nga 10 |
Të shpeshta | 1 deri 10 përdorues nga 100 |
Të pazakonta | 1 deri 10 përdorues nga 1 000 |
Të rralla | 1 deri 10 përdorues nga 10 000 |
Shumë të rralla | më pak se 1 përdorues nga 10 000 |
Te panjohura | frekuenca nuk mund të përcaktohet nga të dhënat që disponohen |
Efekte të mundshme anësore:
Shumë shpesh është shfaqur tek burrat zmadhim i kthyeshëm i gjoksit (gjinekomasti). Tek gratë ka patur enjtje të dhimbshme të gjoksit (mastodini), gjakrrjedhje të herëpashershme dhe mungesë të menstruacioneve (amenorre). Shfaqja e këtyre efekteve anësore është e lidhur me dozën.
Spironolaktoni mund të shkaktojë shtim të qimeve të tipit mashkullor (hirsutizëm) dhe trashje të zërit tek gratë, ndërsa tek burrat forcim të tonit të zërit dhe impotencë.
Shumë shpesh, sidomos tek pacientët me funksion të dëmtuar të veshkave, shfaqen nivele të rritura të rrezikshme të kaliumit (hiperkalemi), të cilat mund të çojnë në aritmi dhe paralizë (paralizë hiperkalemike). Shpesh mund të shfaqen: dhimbje koke, përgjumje, çrregullime të lëvizjes (ataksi) dhe gjendje konfuzioni.
Në disa raste shfaqen: ulje e numrit të trombociteve (trombocitopeni) për shkak të kundërtrupave të nxitur nga spironolaktoni, eozinofili tek pacientët me cirrozë të mëlçisë dhe një ulje e theksuar e disa qelizave të bardha të gjakut me rrezik për infeksion dhe simptoma të përgjithshme të rënda (agranulocitozë).
Mund të shfaqet gjendje e mungesës së natriumit (hiponatremi).
Çrregullimet e elektrolitëve mund të shfaqen si: aritmi kardiake, lodhje, dobësi e përgjithshme e muskujve, krampe muskulare (p. sh. krampe në këmbë) ose marrje mendsh.
Mund të ndodhë ulje e padëshiruar e presionit të gjakut. Është raportuar shfaqja e çrregullimeve të qarkullimit me ulje të presionit të gjakut kur ndërrohet pozicioni nga shtrirë në këmbë (çrregullim ortostatik).
Spironolaktoni mund të nxisë ose të përkeqësojë acidozën metabolike të gjakut (acidozë metabolike hiperkloremike).
Mund të ndodhë një rritje e rikthyeshme e lëndëve që përmbajnë azot. Shpesh janë vërejtur rritje të nivelit të acidit urik.
Gjatë trajtimit me spironolakton mund të shfaqen: çrregullime gastrointestinale (të përziera, të vjella, diarre, krampe gastrointestinale), gjakrrjedhje nga mukoza e stomakut dhe ulçera gastrointestinale.
Shumë rrallë janë raportuar: skuqje të lëkurës, urtikarie, eritemë anulare si dhe lupus eritematoz dhe dëmtime të lëkurës të ngjashme me Lichen ruber planus.
Shumë rrallë janë përshkruar efekte dëmtuese për mëlçinë (hepatotoksicitet) me rritje të enzimave të mëlçisë dhe inflamacion i mëlçisë i konfirmuar nga aspekti histologjik (hepatit) si dhe dobësim i kockave (osteomalaci) dhe rënie flokësh (alopeci).
Informoni mjekun ose farmacistin tuaj nëse ndonjë prej efekteve anësore ju shqetëson ose nëse vini re efekte që nuk përmenden në këtë fletëudhëzues.
Doza dhe menyra e perdorimit:
Gjithmonë merreni Spirolactonin sipas udhëzimit të mjekut. Flisni me mjekun ose farmacistin tuaj nëse nuk jeni i sigurt.
Dozimi është individual dhe përcaktohet në bazë të shkallës së sëmundjes dhe të hiperaldosteronizmit. Ai nuk duhet të ndryshohet pa udhëzimin e mjekut.
Nëse nuk përshkruhet ndryshe nga mjeku, doza e zakonshme është:
Të rriturit:
– fillimisht 1 deri 2 herë në ditë 100 deri 200 mg spironolakton në ditë për 3 deri 6 ditë.
Nëse efekti është i pamjaftueshëm, doza ditore mund të rritet deri 400 mg spironolakton në ditë.
– Si dozë mbajtëse mjafton zakonisht 50 mg deri 100 mg spironolakton, deri në maksimumi 100 deri 200 mg spironolakton. Doza mbajtëse mund të administrohet sipas nevojës çdo ditë, çdo 2 ditë ose çdo 3 ditë.
Fëmijët:
– fillimisht 3 mg spironolakton/kg peshë në ditë për 5 ditë. Nëse është e nevojshme, mund të rritet deri në 9 mg spironolakton/kg deri sa të fillojë efekti klinik i kërkuar.
– Nëse trajtimi vazhdon, doza duhet të ulet deri në dozën minimale efektive.
Mënyra e përdorimit: Merrini tabletat të plota, me sasi të mjaftueshme lëngu (preferohet një gotë ujë [200 ml]).
Kohezgjatja e mjekimit:
Mjeku do të vendosë për kohëzgjatjen e përdorimit. Ajo duhet të jetë koha më e shkurtër e mundshme. Nevoja për një trajtim afatgjatë duhet të kontrollohet rregullisht.
Fëmijët nuk duhet të marrin më gjatë se 30 ditë. Ju lutemi të flisni me mjekun ose farmacistin tuaj nëse keni përshtypjen se veprimi i Spirolan është shumë i fortë ose shumë i dobët.
Nëse keni marrë një sasi më të madhe sesa duhet:
Nëse dyshoni për një mbidozim njoftoni menjëherë mjekun. Në bazë të simptomave, ai do të vendosë për masat e nevojshme që duhet të merren. Në rast se simptomat janë të rënda, është i nevojshëm trajtimi mjekësor i menjëhershëm.
Shenjat e një mbidozimi:
Shenjat e mundshme të një mbidozimi janë: përgjumje dhe konfuzion ose çrregullime të ritmit të zemrës si pasojë e çrregullimeve në balancën e elektrolitëve dhe lëngjeve.
Trajtimi i mbidozimit:
Nëse bari është marrë prej një kohe të shkurtër, mund të synohet zvogëlimi i shkallës së përthithjes së mëtejshme sistemike të lëndës vepruese nëpërmjet masave si: nxitja e të vjellave, lavazh stomaku ose administrim i karbonit aktiv.
Komentet