INDACATEROL + GLYCOPYRRONIUM
Forme Doza: Kapsula të forta pluhuri të inhalueshëm: 110 mcg/50mcg
Emri gjenerik: Indacaterol + Glycopyrronium
Emri Tregetar: Ultibro Breezhaler
Indikacionet dhe kriteret e përdorimit: Indacaterol + Glycopyrronium është kombinim i dy bronkodilatatorëve që indikohet si trajtim mbajtës një herë në ditë, për të mjekuar pacientët me Sëmundje Pulmonare Obstruktive Kronike (SPOK) stadi B (II); C(III); dhe D (IV). Klasifikimi i fundit 2017 është ai që përcakton stadet si A,B,C dhe D që korespondon klasifikimit të vjetër I,II,III dhe i IV. Ultibro rekomandohet të përdoret në pacientët me SPOK.
Sipas rekomandimeve të GOLD 2018: Në pacientët me SPOK stadi B me dispne të theksuar ose me dispne persistente pavarësisht përdorimit të vetëm një bronkodilatatori me veprim të zgjatur (preferohet të fillohet me LAMA), në terapi shtohet edhe LABA. Pacientët me SPOK stadi C trajtohen me LABA+ LAMA. Pacientët me SPOK stadi D mjekohen me LABA+ LAMA dhe nëse persistojnë simptomat ose pacienti ka riakutizime të shpeshta, trajtimit i shtohet edhe ICS.
Kundërindikacionet: Indacaterol + Glycopyrronium (Ultibro) është e kundërindikuar në pacientët me mbindjeshmëri ndaj Indacaterolit ose Glycopyrroniumit, të cilat janë përbërës të Indacaterol + Glycopyrronium, ose të ndonjë nga ekscipientëve. Kundërindikohet në astëm, pasi LABA rrit riskun e efekteve anësore serioze përfshirë edhe vdekjen kur nuk përdoret e kombinuar me ICS.
Ultibro duhet të përdoret me kujdes në pacientët me glaukomë me kënd të ngushtë, pacientët me retension urinar, pacientët me sëmundje renale kronike në stad të fundit, që trajtohen me dializë, pacientët me sëmundje të koronareve, infarkt akut i miokardit, aritmitë dhe hipertensioni, në pacientët me zgjatje të segmentit QT.
Efektet Anësore: Indacaterol + Glycopyrronium ka shfaqur efekte anësore sikurse përbërësit individual të tij Indacaterol dhe Glycopyrronium si: nazofaringiti, hipersensitiviteti nga Indacateroli ose Glycopyrronium, angioedema, infeksione të rrugëve të sipërme ajrore, rinit, sinusit, hiperglicemi, pagjumësi, dhembje koke, marrje mendsh, glaukomë, fibrilacion atrial, semundje ishemike e zemrës, palpitacione, kollë, disfoni, takikardi, gojë e thatë, prurit, dhimbje muskuloskeletike, lodhje etj.
Doza dhe mënyra e përdorimit: Doza e rekomanduar e Indacaterol + Glycopyrronium është inhalimi një herë në ditë i përmbajtjes së një kapsuleje 110/50 mcg duke përdorur inhalatorin ULTIBRO. Kjo pajisje karakterizohet nga rezistencë e ulët e fluksit ajror, dhe mundëson përdorimin efektiv të barit edhe për pacientët me gjendje të rëndë të SPOK. Indacaterol + Glycopyrronium duke siguruar bronkodilatacion të shpejtë dhe të qëndrueshëm për 24 orë mundëson dozimin një herë në ditë. Si terapi një herë në ditë dhe duke marrë dy medikamente njëkohësisht Indacaterol + Glycopyrronium thjeshtëson regjimin e mjekimit për pacientët me SPOK dhe përmirëson kompliancën me trajtimin.
Kohëzgjatja e mjekimit: Trajtim mbajtës në pacientët me SPOK bazuar në simptomat dhe riskun e përkeqësimeve. Në Vazhdimësi.
Komentet