Perdorimi i Jardiance (Empagliflozin 10 mg)

EMPAGLIFLOZIN

Formë Doza: Tableta të veshura me film, 10 mg

Emri gjenerik: Empagliflozin

Emri Tregtar: Jardiance

Empagliflozina/Jardiance është një medikament që përdoret kryesisht për të trajtuar Diabetin tip 2, Insuficiencën Kardiake dhe Sëmundjen Kronike të Veshkave. Ajo i përket një klase barnash të njohura si inhibitorë të SGLT2 (ko-transportuesit natrium-glukozë-2).

Efektet mbrojtëse ndaj sistemit kardiovaskular dhe veshkave nga SGLT2-i te individët me dhe pa diabet janë vërtetuar në mënyrë të besueshme në studimet e kontrolluara të rastësishme. Kjo klasë përfaqëson një përparim të rëndësishëm terapeutik në menaxhimin e sëmundjes kronike të veshkave në pacientët diabetikë, duke ofruar një mundësi të veçantë për të trajtuar njëkohësisht rrezikun kardiovaskular dhe progresin e sëmundjes së veshkave.

Si rezultat, janë kryer përditësime të rekomandimeve për barnat SGLT2-i dhe janë publikuar udhëzime klinike që indikojnë përdorimin e tyre në sëmundjen kronike të veshkave në pacientë diabetike, si bar që ul progresin e sëmundjes renale kronike drejt stadeve të përparuara dhe terapisë renale zëvendësuese duke ulur njëkohësisht rriskun për morbiditet e mortalitet kardiovaskular.

Indikacionet dhe kriteret e përdorimit:

Diabet melitus tip 2

Jardiance përdoret për trajtimin e diabetit të tipit 2 te pacientët e rritur dhe fëmijët e moshës 10 vjeç e sipër që nuk mund të kontrollohen vetëm me dietë dhe ushtrime fizike ose metformine. Jardiance mund të përdoret pa barna të tjera në pacientët që nuk mund të marrin metformin (një bar tjetër për diabetin).

Jardiance mund të përdoret gjithashtu me barna të tjera për trajtimin e diabetit. Këto mund të jenë barna të marra nga goja ose të dhëna me injeksion si insulina.

Jardiance vepron duke bllokuar proteinën SGLT2 në veshka. Kjo bën që sheqeri në gjak (glukoza) të kalojë në urinë. Në këtë mënyrë Jardiance ul sasinë e sheqerit në gjak.

Ky bar mund të ndihmojë gjithashtu në parandalimin e sëmundjeve të zemrës tek pacientët me diabet melitus të tipit 2.

Insuficenca kardiake

Jardiance përdoret për të trajtuar dështimin e zemrës tek pacientët e rritur me simptoma për shkak të funksionit të dëmtuar të zemrës.

Sëmundja kronike e veshkave

Jardiance përdoret për trajtimin e sëmundjeve kronike të veshkave te pacientët e rritur.

Jardiance përdoret për trajtimin e pacientëve me Diabet tip 2 dhe sëmundje kronike të veshkave kur eGFR ≥ 20 ml/min per 1.73 m2 . Albuminuri (albuminuri në urine porcionale ≥ 30mg ose raporti Alb/Creat në urinë (UACR) ≥ 30mg/g.

Doza e monoterapisë me inhibitor të ACE (ACEi) ose bllokues i receptorëve te Angiotenzinës II (ARB) duhet të optimizohet, nëse është i indikuar dhe e toleruar.

Matja e FG mund të kryhet me CKD – EPI Equations for Glomerular Filtration Rate (GFR) formula bazuar në nivelin në serum të kreatininës;

  • Vazhdimi dhe monitorimi

Nuk kërkohet rregullim i dozës pas fillimit të barit Empagliflozin por FG duhet të kontrollohet pas 4 javësh (FG shpesh bie me 15-20%, gjë që zakonisht rikthehet në 1-3 muaj). Nuk duhet ndërprerë bari, por duhet vlerësuar pacienti nga specialist.

Pasi bari Empagliflozin të jetë filluar, është e arsyeshme të vazhdohet përdorimi i tij edhe në se FG bie nën 20 ml/min për 1.73 m2, pervec rasteve kur ai nuk tolerohet ose fillohet terapia renale zëvendësuese (TRZ); Hemodializa, dializa peritoneale, transplanti renal.

Është e arsyeshme të ndalohet përkohësisht përdorimi i barit Empagliflozin gjatë periudhave të agjërimit të zgjatur, operacioneve ose sëmundjeve kritike (kur individët mund të jenë në rrezik më të madh për ketoacidozë).

Fillimi ose përdorimi i barit Empagliflozin nuk kërkon ndryshim të frekuencës së monitorimit të SKV, dhe ulja e kthyeshme e FG pas fillimit të trajtimit zakonisht nuk është një tregues për ndërprerjen e terapisë.

Kundërindikacionet:

Bari Jardiance kundërindikohet nese jeni alergjik ndaj empagliflozinës ose ndonjë prej përbërësve të tjerë të këtij bari.

Përbërësit e tjerë janë:

Bërthama e tabletës: Laktozë monohydrate, Celulozë mikrokristaline, Hidroksipropilcelulozë, Kroskarmelozë natriumi, Silicë koloidale anhidër, Stearat magnezi

Veshja filmike: Hipromelozë, Dioksid Titani (E171), Talk, Makrogol (400), Oksid Hekuri i verdhë (E172).

Paralajmërime dhe përkujdesje:

Ketoacidoza. Pacientët që marrin Empagliflozin duhet të jenë të kujdesshëm dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore; Nëse përjetojnë humbje të shpejtë të peshës, të përziera ose të vjella, dhimbje stomaku, etje të tepërt, frymëmarrje e shpejtuar dhe e thellë, konfuzion, përgjumje ose lodhje e pazakontë, frymë me aromë frutash, shije metalike në gojë ose një ndryshim në aromën e urinës ose djersës, kontaktoni menjëherë një mjek ose spitalin më të afërt. Këto simptoma mund të jenë shenjë e ”ketoacidozës”- një problem serioz, ndonjëherë kërcënues për jetën që mund ta merrni për shkak të rritjes së niveleve të ”trupave ketonikë” në urinë ose gjak, që shihet në analiza.

Rreziku i zhvillimit të ketoacidozës mund ti rritet me agjërim të zgjatur, konsum të tepruar të alkoolit, dehidrim, reduktime të papritura të dozës së insulinës ose nevojë më të madhe për insulinë për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale madhore ose sëmundje serioze.

Nëse keni ”diabet të tipit l”. Ky lloj diabeti zakonisht fillon kur jeni i ri dhe trupi juaj nuk prodhon fare insulinë.

Ju nuk duhet të merrni Jardiance :

  • Nëse keni diabet tip l .
  • Nëse keni probleme serioze me veshkat.
  • Nëse keni probleme serioze të mëlçisë.

Mund të jetë në rrezik të dehidrimit, për shembull:

  • Nëse jeni të sëmurë, keni diarre ose temperaturë, ose nëse nuk jeni në gjendje të hani ose pini. Nëse jeni duke marrë barna që rrisin prodhimin e urinës [diuretikët] ose ulin presionin e gjakut.
  • Nëse jeni 75 vjeç ose më i vjetër.
  • Nëse keni një infeksion serioz të veshkave ose të traktit urinar me temperaturë.

Funksioni i veshkave.

Veshkat tuaja duhet të kontrollohen përpara se të filloni ta merrni këtë bar dhe gjatë kohës që jeni duke marrë këtë bar. Glukozë në urinë: Për shkak të mënyrës se si funksionon ky bar, urina juaj do të dalë pozitive për përmbajtje sheqeri gjatë kohës që jeni duke marrë këtë bar.

Fëmijët dhe adoleshentët.

Jardiance mund të përdoret në fëmijët 10 vjeç e sipër për trajtimin e diabetit të tipit 2. Nuk ka të dhëna të disponueshme për fëmijët e moshës nën 10 vjeç.

Jardiance nuk rekomandohet për fëmijët dhe adoleshentët nën 18 vjeç për trajtimin e dështimit të zemrës ose për trajtimin e sëmundjes kronike të veshkave, sepse nuk është studiuar në këta pacient.

Ndërveprimi i Jardiance me barna të tjerë.

Monitoro me kujdes:

Nëse jeni duke marrë barna që rrisin prodhimin e urinës (diuretikë) rritet rreziku për dehidrim. Nëse jeni duke marrë barna të tjera që ulin sasinë e sheqerit në gjak, si p.sh. insulina ose një bar insulino sekretues.

Nëse jeni duke marrë litium sepse Jardiance mund të ulë sasinë e litiumit në gjakun tuaj.

Shtatzënia dhe ushqyerja me gji.

Nëse jeni shtatzënë ose po planifikoni të keni një fëmijë si edhe nëse ushqeni me gji.

Mos e përdorni Jardiance nëse jeni shtatzënë. Nuk dihet nëse Jardiance është e dëmshme për fëmijën e palindur. Mos e përdorni Jardiance nëse jeni duke ushqyer me gji. Nuk dihet nëse Jardiance kalon në qumështin e giirit të njeriut.

Marrja e këtij bari në kombinim me barna insulin sekretuese ose me insulinë mund të shkaktojë uljen e nivelit të sheqerit në gjak (hipoglicemi), e cila mund të shkaktojë simptoma të tilla si dridhje, djersitje dhe ndryshim në shikim, si dhe mund të ndikojë në aftësinë tuaj për të drejtuar automjete dhe për të përdorur makineri. Mos drejtoni automjete dhe mos përdorni asnjë pajisje ose makineri, nëse ndiheni të trullosur gjatë marrjes së Jardiance.

Jardiance përmban laktozë

Jardiance përmban laktozë (sheqeri i qumështit). Nese jeni intolerant ndaj laktozës duhet konsultë para marrjes së këtij barit. Jardiance përmban natrium

Ky bar përmban më pak se 1 mmol natrium (23 mg) për tabletë, domethënë në thelb ‘ pa natrium”.

Efektet Anësore:

Reaksion i rëndë alergjik, i pazakonshëm (mund të prekë deri në 1 në 100 njerëz). Ketoacidoza, shfaqet si efekt i pazakonshëm (mund të prekë deri në 1 në 100 njerëz). Sheqeri i ulët në gjak (hipoglicemi), që shihet shumë shpesh (mund të prekë më shumë se 1 në 10 persona). Infeksioni i traktit urinar, i vërejtur zakonisht (mund të prekë deri në 1 në 10 persona). Dehidratim, dhe hypotension i vërejtur shumë shpesh (mund të prekë më shumë se 1 në 10 njerëz).

Doza dhe mënyra e përdorimit:

  • Diabeti mellitus i tipit 2

Doza fillestare e rekomanduar është 10 mg empagliflozin një herë në ditë për monoterapi dhe terapi shtesë të kombinuar me barna të tjera për trajtimin e diabetit.

Pacientët që tolerojnë empagliflozinë 10 mg një herë në ditë, të cilët kanë një eGFR ≥ 20 ml/min/l.73 m2 dhe kanë nevojë për një kontroll më të rreptë të glicemisë, doza mund të rritet deri në 25 mg një herë në ditë. Doza maksimale ditore është 25 mg.

  • Insuficenca kardiake

Doza e rekomanduar është 10 mg empagliflozin një herë në ditë.

  • Sëmundja kronike e veshkave

Doza fillestare e rekomanduar në pacientët me Diabet melitus tip 2 dhe Sëmundje Renale Kronike është empagliflozinë 10 mg një herë në ditë.

Kohëzgjatja e mjekimit: Mjekim afatgjatë.

Shënim:

Sipas udhëzimeve të Shoqatës Amerikane të Diabetit(ADA), Shoqatës Amerikane të zemrës (ACC), Shoqatës Amerikane të Nefrologjisë (ASN), Agjensisë Europiane të Mjekësisë (EMA), Entit Amerikan rregullues të barnave dhe ushqimeve (FDA):

Kur një pacient me diabet i cili pas administrimit të Metforminës vazhdon të ketë hemoglobinën e glukozuar më të madhe ose të barabartë me 7 atëherë mund të fillojë një bar të klasës SGLT2.