RISPERIDONE
Formë Doza: Tableta 2 mg; Flakon 1 mg/1 ml – 30ml
Emri Gjenerik: Risperidone
Emri Tregëtar: Risperdal
Indikacionet dhe kriteret e përdorimit: Trajtimi i Skizofrenisë dhe Çrregullimeve të tjera Psikotike. Këtu përfshihen episodet e para të psikozave, ekzacerbimet skizofrenike akute, skizofrenia akute dhe gjendjet e tjera psikotike ku simptomat pozitive (të tilla si halucinacionet, deluzionet, çrregullimet e mendimit, armiqësia, dyshimi) dhe/ose simptomat negative (të tilla si sheshimi i afektit, tërheqja emocionale dhe sociale, varfëria e të folurit) janë të dukshme.
Ai zbut gjithashtu simptomat afektive që shoqërojne skizofreninë. Po ashtu mund të përdoret në Çrregullimin Tourette për dominimin e Tikeve dhe në Çrregullimet Pervazive të Zhvillimit për të dominuar impulsivitetin e shtuar.
Kundërindikacionet: Hipersensitivitet ndaj përbërësve, Shtatëzani dhe Laktacion.
Efektet anësore: Të zakonshme: Hipotension ortostatik, pagjumësi, axhitim, ankth, dhimbje koke. Më pak të zakonshme: simptoma ekstrapiramidale, tremor, rigiditet, hipersalivacion, somnolencë, lodhje, përqendrim i dëmtuar, konstipacion, dispepsi, nauze, të vjella, dhimbje abdominale, priapizëm, disfunksion erektil, ejakulator, orgazmik; inkontinencë urinare, rinit, rash kutan. Të rralla: rritje e përqëndrimit të prolaktinës në plazëm, edemë dhe rritje e nivelit të enzimave hepatike, Diskinezi Tardive, Sindrom Neuroleptik Malinj.
Doza dhe mënyra e përdorimit: Të gjithë pacientët akutë apo kronike duhet të fillojnë me 2 mg/ditë, kjo dozë rritet në 4 mg/ditë gjatë ditës së dytë dhe 6mg/ditë gjatë ditës së tretë. Jepet per os një ose dy herë/ditë. Që nga ky moment doza mund të mbahet e pandryshuar por dhe mund të individualizohet më tej nëse është e nevojshme. Shumica e pacientëve përfitojnë me doza 4-6 mg/ditë.
Në disa pacientë mund të jetë më e përshtatshme një fazë titrimi më e ngadaltë dhe një dozë fillimi dhe mbajtje më e ulët. Dozat mbi 10 mg/ditë nuk kanë treguar efikasitet superior ndaj dozave më të ulta dhe mund të shkaktojnë efekte ekstrapiramidale. Dozat mbi 16 mg/ditë nuk duhen përdorur. Tek të moshuarit apo tek ata që vuajnë nga veshkat dhe mëlçia, doza duhet filluar me 0,5 mg/ditë. Kjo dozë mund të rritet me porcione 0,5 mg deri në 2 mg.
Kohëzgjatja e mjekimit: Kohëzgjatja e mjekimit varet nga tabloja klinike, episodet e mëparshme, recidivat, historia familjare dhe përgjigja e pacientit ndaj barit. Nëse gjendja është e stabilizuar, reduktohet doza mbajtëse me 50%. Nëse gjendja vazhdon të jetë e stabilizuar reduktohet dhe 50% të tjera të dozës së mbetur.
Në përgjithësi doza mbajtëse rekomandohet të jetë 3-4 mg/ditë. Pacienti zakonisht mbahet me mjekim për 1-2 vjet pas episodit të parë psikotik. Trajtimi antipsikotik shpesh vazhdon gjatë, pas episodit psikotik të dytë dhe pas episodit të tretë mundet të vazhdojë dhe për gjithë jetën, por çdo 6-12 muaj bëhen përpjekje për të pakësuar dozën.
Shënim: Risperidoni mund të ndërhyjë në aktivitetet që kërkojnë mprehtësi mendore. Si pasojë pacientët duhen këshilluar të mos ngasin ose të operojnë makineri deri sa të njihet ndjeshmeria e tyre individuale. Në të moshuarit apo në personat që rrezikojnë të shfaqin hipotension ortostatik, mund të jetë e nevojshme ndarja në 2 pjesë e dozës ditore. Nuk rekomandohet gjatë periudhës së shtatzansisë.
Komentet